MENAXHMENTI I H.K. – së SPONSORUES I REVISTËS SË FOLKLORIT BURIMOR SHQIPTAR
Hekurudhat e Kosovës në vazhdimësi kanë mbështetur aktivitete të ndryshme duke përfshirë ato humanitare, kulturore e sportive. Kësaj radhe një mbështetje i është dhënë festivalit gjithëkombëtar Revista e Folklorit Burimor Shqiptar “Drenasi 2010″ i organizuar nga Ministria e Kulturës, rinisë dhe sportit, Komunës së Drenasit dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës. Festivali po mbahet nga data 21 deri me 25 shtator të këtij viti. Në këtë aktivitet kulturor po marrin pjesë grupe të shumta artistike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe grupe artistësh të folklorit nga Italia dhe Turqia. Në këtë manifestim të shfaqjes së vlerave kulturore kombëtare të folklorit burimor të bartura nëpër shekuj, Hekurudhat e Kosovës në mesin e shumë sponsoruesve tjerë, me ndihmën e tyre ishin ndër kryesoret.
Hapja e Revistës së Folklorit Burimor Shqiptar- “Drenasi 2010”, u bë me paraqitjen e disa grupeve folklorike dhe me një fjalim të mbajtur nga Kryetari i Kuvendit Komunal të Drenasit z.Nexhat Demaku, i cili në mes tjerash ka thënë se “Ky thesar i madh kulturor e shpirtëror nuk u shua kurrë, ai shpaloset sot me tërë artin e tij, sepse e kanë krijuar zemrat, vuajtjet dhe sakrificat e një populli”. Në kuadër të festivalit është mbajtur një tribunë për traditat dhe vlerat gjithëkombëtare shqiptare si dhe është hapur ekspozita e veshjeve kombëtare.
Revista e Folklorit Burimor Shqiptar fillimet e veta i ka që nga viti 1961. Fillimisht organizohej vetëm si mbrëmje folklorike burimore dhe mbahej me emrin Revista e Folklorit Burimor Kosovar të Komunës së Drenasit. Më vonë festivali mori karakter regjional dhe që nga viti 1969 këto mbrëmje u shndërruan në festival gjithë Kosovar. Revista e Folklorit Burimor Shqiptar mbahej rregullisht deri në vitin 1989 kur edhe ndërpritet nga mekanizmat e pushtuesit. Pas luftës çlirimtare festivali fillon të mbahet me emër të ri si: Revista e Folklorit Burimor Shqiptar, dhe mori karakter gjithëkombëtar i cili mbahet çdo katër vjet.
Menaxhmenti i Hekurudhave të Kosovës Sh.A, edhe kësaj radhe, me mbështetjen materiale që i ka dhënë Revistës së Folklorit Burimor Shqiptar “Drenasi 2010″, u bë pjesë e suksesit dhe vlerave të këtij festivali, vlera të larta dhe fisnike e të nevojshme, në përmbushjen e një pjese shumë të rëndësishme të nevojave të shoqërisë sonë- atë të kulturës shpirtërore.


