Hekurudhat e Kosovës në mbështetje të aktiviteteve për nxënësit e Shkollës Fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë
Hekurudhat e Kosovës në mbështetje të aktiviteteve për nxënësit e Shkollës Fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë”
Me kërkesë të drejtorisë së shkollës fillore ‘‘Meto Bajraktari” në Prishtinë, Hekurudhat e Kosovës Sh.A, mundësuan vizitën me tren në HK të 250 nxënësve të klasave të katërta. Nxënësit e kësaj shkolle nën përkujdesjen e pedagogëve të tyre realizuan shëtitjen me tren nga Prishtina për në Fushë Kosovë. Këta nxënës patën rastin që të shijojnë kënaqësinë e udhëtimit me tren. Krejt i veçantë ishte përjetimi i tyre, sepse shumica nga ta ndodheshin për herë të parë në një udhëtim të tillë.
Në stacionin e trenit në Prishtinë ata prisnin me padurim trenin i cili ishte organizuar vetëm për kënaqësinë e tyre. Përveç gëzimit dhe ndjenjës së mirë, këta nxënës nga pedagoget e tyre dhe stafi i trenit, patën rastin të marrin edhe njohuritë elementare të udhëtimit me tren si dhe mbi rëndësinë dhe funksionimin aq të rëndësishëm të kësaj fushe të komunikacionit.
Disa nga nxënësit një pjesë të këtij rrugëtimi të shkurtër nga Prishtina gjerë në F. Kosovë e bënë duke kënduar e recituar vargje shumë të bukura. Disa të tjerë, përshtypjet e këtij udhëtimi i lanë të shkruara në kompaninë tonë, të cilat do të ruhen si pjesë e kujtimit të kësaj vizite. Për koincidencë, po këtë ditë, njëri prej nxënësve, Ideal Sina, kishte datëlindjen e dhjetë. Me këtë rast kolegët e tij, mësueset dhe stafi hekurudhor e përgëzuan Idealin.
Pas arritjes në stacionin e trenit në Fushë Kosovë, nxënësit e kësaj shkolle u takuan edhe me drejtorë e menaxherë të HK-së, nga të cilët u shoqëruan për në muzeun i cili gjendet brenda hapësirave të objektit të këtij stacioni. Po ashtu u vizitua edhe lokomotivën e vjetër (pjesë e muzeut) e cila është shumë atraktive për vizitorët.
Pas përmbushjes së programit të paraparë Treni i Lirë ktheu nxënësit në pikën ku kishte filluar udhëtimi, në Prishtinë.
Për mundësimin e kësaj vizite Hekurudhat e Kosovës Sh.A, nga drejtoria e Shkollës Fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë, morën falënderime të veçanta.
Hekurudhat e Kosovës Sh.A në vazhdimësi kanë mbështetur aktivitete të tilla dhe kështu do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.


