TRAJNIM DY DITOR I PUNËTORËVE TË HK-SË PËR MBROJTJE DHE SHPËTIM NGA ZJARRI

 

Hekurudhat e Kosovës ShA janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të përgatitur punëtorët e saj lidhur më risitë në fusha të ndryshme të procesit të punës. Kësaj radhe Hekurudhat e Kosovës, përkatësisht sektori i resurseve njerëzore të saj, ka organizuar trajnim dyditor për punëtorët e HK-së. Ky trajnim ka të bëjë me mbrojtjen dhe sigurinë në punë dhe gjatë procesit të saj. Është fjala për një sektor shumë të rëndësishëm, atë të fushës së mbrojtjes nga zjarri.

Ana profesionale e këtij trajnimi është mbuluar nga ekspertët e kësaj fushe nga MPB-Agjencioni për Menaxhim Emergjent, e cila me seriozitetin më të madh ka vlerësuar kërkesën e HK-së për këtë trajnim.

Drejtues të HK-së dhe përfaqësuesit nga MPB/AME së bashku me stafin profesional të saj bënë hapjen zyrtare të këtij trajnimi. Në emër të Agjencisë për Menaxhim Emergjent, fjalën në këtë ceremoni hapjeje e mori Ramadan Krasniqi, Drejtor i Departamentit për Gatishmëri, i cili në mes tjerash theksoi që: “AME është ngritur në nivel agjencioni vetëm para gjashtë muajsh dhe udhëhiqet nga Kryeshefi, Fadil Kodra, kam kënaqësinë të iu percjellë përshëndetjet e tij. AME është e strukturuar në katër departamente. (1. Departamenti i Parandalimit. 2. Departamenti i Gatishmërisë, i cili ka qendrën për trajnime të integruara në Vushtrri në të cilën qendër bëhet trajnimi për të gjithë qytetarët. 3. Departamenti Operativ dhe 4. Departamenti i Zjarrfikjes dhe Shpëtimit). Shërbimin profesional të zjarrfikjes dhe shpëtimit; njësitë vullnetare nga Kuvendet Komunale etj. Në mesin e kërkesave për trajnim, ka qenë kërkesa e HK-së, ajo e cila është trajtuar me seriozitetin më të lartë, më të cilën është marrë edhe vetë ministri i MPB. Ne kemi prolonguar të gjitha trajnimet në qendrën e trajnimeve në Vushtrri vetëm për të plotësuar kërkesën e juaj. Unë di së punëtorërët e HK-së kanë njohuritë e mëparshme në këtë fushë, por shpresoj që instruktorët tanë që iu kanë bashkëngjitur trajnimit tuaj do të bëjnë punën me seriozitet.”

Në këtë hapje të këtij trajnimi përveç  punëtorëve të HK-së ishin edhe drejtues të saj: Besim Asllani-Drejtor Komercial, Nazmi Kajtazi – Drejtor i Infrastrukturës, Avdush Basholli – zyrtar për mbrojtje dhe siguri në punë, dhe Drejtori Financiar, Sefedin Sefaj i cili përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi në emër të HK-së ekipin profesional nga MPB-AME dhe drejtues të saj për këtë kontribut kaq të çmueshëm e me vlerë. “Ky trajinim është i pari në këtë nivel që kemi organizuar. Njohuritë e marra nga ky trajnim do të ndikojnë në shtimin e sigurisë dhe do të jenë një preventivë. Edhe pse rastet e shpërthimeve dhe të zjarreve janë tejet të rralla, është më rëndësi të bëhet përgatitja për t’u ballafaquar me situata të tilla të mundshme”.

Trajnimi dytitor është ndarë në dy pjesë, në ditën e parë ekspertët nga MPB-AME-ja do të ligjërojnë anën teorike, ndërsa në ditën e dytë do bëhet demonstrimi praktik i këtyre njohurive nën përkujdesjen e personelit prefesional nga AME në përbërje: Nexhat Behrami – inxh. i Mbrojtjes nga Zjarri, Muhamet Pllana – inxh. i Diplomuar i Makinerisë, Iset Lahu – inxh. i Gjeologjisë dhe Bahri Pajaziti – instruktor.  Në fund të këtij trajnimi pjesëmarrësit do t’i nënshtrohen një testi vlerësues dhe do të pajisën me çertifikata. 

Trajnimi ka përfunduar sipas orarit të paraparë dhe të gjithë pjesëmarrësit janë aftësuar për aplikimin e teknikave të reja. Punëtorët tani, jo vetëm që janë shumë më të përgatitur për ndërhyrje në raste të shpërthimeve dhe zjarreve, por do jenë të përgatitur edhe në parandalimin e tyre .