PËR H. K. EDHE TRE VAGONË UDHËTARËSH DHURATË NGA HEKURUDHAT AUSTRIAKE
Hekurudhat e Kosovës në Fushë Kosovë me një ceremoni rasti bën pranim – dorëzimin e tre vagonëve të udhëtarëve dhuruar nga Hekurudhat Austriake.
Me këtë rast përveç menaxhmentit dhe punëtorëve të HK-së, ishin të pranishëm edhe shumë mysafirë të tjerë. Në mesin e tyre ishin: Ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, Përfaqësuesit e Hekurudhave Austriake, Horst Tiefenthaler dhe Bege Zukaj.
Fillimisht të pranishmit i përshëndetën Kryeshefi Ekzekutiv Xhevat Ramosaj dhe Kryetari i Bordit të Drejtorëve të HK-së, Sejdi Hoxha të cilët folën për rëndësinë e këtij donacioni nga Hekurudhat Austriake.
Kryeshefi i Ekzekutivit të Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj në fjalimin e mbajtur më këtë rast theksoi se “flotës lëvizëse të Hekurudhave të Kosovës po i shtohen edhe tre vagonë të udhëtarëve të dhuruar nga Hekurudhat Austriake. Pa angazhimin e zotit Horst Ludëig Tiefenthaler, ky donacion vështirë se do të realizohej. Zoti Tiefenthaler ishte iniciator i donacionit të vitit 2009 të shtatë vagonëve tjerë të cilët sot ne i përdorim për transportin e udhëtarëve. Andaj, falënderimet tona më të mëdha për ju zoti Tiefenthaler. Falënderimet tona shumë të mëdha edhe për angazhimet e saj të pandërprera në realizimin e këtij donacioni zonjushën Bege Zukaj e cila vepron në Austri dhe me përkushtim të madh i ka ndihmuar dhe po i ndihmon Hekurudhat e Kosovës. Së fundi falënderimet më të përzemërta për Hekurudhat Austriake të cilat e panë të arsyeshme që prapë t’i ndihmojnë Hekurudhat e Kosovës në këtë moment shumë të duhur. Me këta tre vagonë të cilët janë dhënë si donacion nga Hekurudhat Austriake, flota e vagonëve të dhuruar nga kjo kompani arrin numrin 10 (dhjetë). Kjo e ndihmon edhe më shumë ofrimin e shërbimeve të transportit të udhëtarëve. Dëshira jonë ka qenë dhe mbetet që udhëtarëve tanë të respektuar të ju ofrojmë siguri, komoditet dhe kushte më të mira të udhëtimit. Ky është qëllimi jonë, andaj kjo dhuratë shumë e vlefshme për ne do të na ndihmojë që këtë qëllim ta realizojmë me sukses”.
Po ashtu, edhe Sejdi Hoxha, Kryesues i Bordit të Drejtorëve të Hekurudhave të Kosovës vlerësoi lart ndihmen nga Hekurudhat Austriake, ndihmë e cila nuk ka munguar as në të kaluarën. Më këtë rast Kryesuesi i Bordit foli edhe për të arriturat dhe angazhimin e tërë potencialit drejt modernizimit të infrastrukturës hekurudhore. “Gjatë këtyre viteve ne si kompani kemi investuar në riparimin dhe ri-modernizimin e mjeteve lëvizëse hekurudhore siç janë lokomotivat dhe trenat e udhëtarëve, vlen të përmendet fakti që këtë vit ne kemi paraparë në biznes planin e Kompanisë edhe riparimin gjeneral të disa vagonëve të udhëtarëve në mënyrë që ata të pajisen me të gjitha standartet e nevojshme, të jenë konkurrent, dhe të jenë të gatshëm për të marrë pjesë në transportin ndërkombëtar të pasagjerëve. Ne jemi duke punuar vazhdimisht që Hekurudhat e Kosovës të jenë anëtare në të gjitha organizatat e rëndësishme hekurudhore siç është Unioni Ndërkombëtar i Hekurudhave dhe institucioneve të tjera. Unë besoj fuqishëm që hekurudhat e Kosovës në një të ardhme të shpejtë do ta kenë kodin e tyre hekurudhor në mënyrë që këta vagonë që ne po inaugurojmë sot dhe shumë vagonë të tjerë të Hekurudhave të Kosovës do të lëvizin nga Kosova në të gjitha vendet e tjera të Unionit Evropian. Ne jemi duke punuar që Kosovës t’ia hapim të gjitha mundëisitë për një transport të shpejtë komod dhe të sigurt i cili do të ndikon edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës duke i dhënë qasje edhe në transportin ndërkombëtar të mallrave.
Duke marrë parasysh vjetërsinë e ndërtimit të linjave hekurudhore, urave dhe tuneleve ne me mbështetje financiare nga Qeveria e Republikës së Kosovës këtë vit kemi filluar edhe me ri-modernizimin e tuneleve përgjatë linjës së dhjetë hekurudhore duke e bërë zgjerimin e tyre dhe duke krijuar hapësirat e nevojshme për elektrifikimin e kësaj linje dhe në pjesët e linjave hekurudhore me tunele në mënyrë që infrastruktura hekurudhore e Kosovës t’i plotësoj të gjitha kushtet e nevojshme për transport ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarëve.
Të gjitha këto të arritura i kemi bërë bashkarishtë dhe me përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për këtë shfrytëzoj rastin që ta falënderoj Kryeministrin, z. Thaqi , Ministrin Mujota dhe gjithë kabinetin qeveritar”.
Ndërsa Ministri i Infrastruktures Fehmi Mujota theksoi, “…sot jam i kënaqur që Hekurudhat Austriake po i dhurojnë edhe tre vagonë të udhëtarëve Hekurudhave të Kosovës, prandaj edhe kjo është një ditë e shënuar. Unë edhe më herët kam thënë se përveç angazhimeve në sektorin rrugor, angazhimet e mia do të jenë të orientuara edhe në sektorin hekurudhor, sektor ky shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës” Ministri Mujota përmendi edhe disa projekte shumë të rëndësishme në të cilat është duke vepruar Ministria e Infrastrukturës në drejtim të zhvillimit të sektorit hekurudhor.
Përveç ministrit Mujota, në këtë ceremoni foli edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj si dhe përfaqësuesi i Hekurudhave Austriake, Horst Tiefenthaler.
Më këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj, në shenjë falënderimi nderoi me mirënjohje Hekurudhat Austriake, Horst Tiefenthaler dhe zonjushën Bege Zukaj, të cilët ishin përkushtuar në ofrimin e kësaj ndihme.
Fushë Kosovë
15.07.2011

